Dy gra, në Skënderaj e Gjakovë, dyshohet se kryen vetëvrasje
BKT
Foto: Policia e Kosovës
Kronika

Dy gra, në Skënderaj e Gjakovë, dyshohet se kryen vetëvrasje

Jeton Musliu/RTKlive

Dy raste vdekjesh të dyshimta janë regjistruar në orët e fundit në Kosovë dhe në të dy rastet, viktima janë femra.

Njëri rast ka ndodhur në Skënderaj, përkatësisht në fshatin Llaushë dhe tjetra në Gjakovë.

Informacionet e para jozyrtare janë se në të dy rastet, të ndjerat kanë kryer vetëvrasje, ndonëse Policia e Kosovës ende është duke kryer hetimet e para dhe pritet që në orët më të vona ose nesër paradite të dalë me sqarime shtesë.

Sidoqoftë, në orët e mbrëmjes, në fshatin Llaushë të Skenderajt, policia konfirmon se një grua është gjetur pa shenja jete, raporton RTKlive.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, ka konfirmuar se e ndjera është e moshës 36 vjeç.

 “Rreth orës 18:00, nga ana e familjarëve është raportuar se në fshatin  Llaushë të Skenderajt, në  shtëpinë e saj  është gjetur pa shenja jete viktima femër e moshës 36 vjeçare”, ka deklaruar Zahiti.

“Hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për zbardhjen e  rrethanave të rastit”, ka deklaruar Zahiti, raporton RTKlive.

Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Jozyrtarisht mësohet se pranë viktimës është gjetur një armë zjarri.

Ndërkohë, një  rast tjetër  ka ndodhur në Gjakovë, ku një grua dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj, ndonëse edhe në këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje.

Mësohet se viktima e moshës  47-vjeç, dyshohet se është vetëvarur, dhe pavarësisht se është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, aty vetëm sa është konstatuar vdekja e saj.

Gjithashtu me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i 47-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

 


MË SHUME NGA Kronika