Ngrihet aktakuzë ndaj shtatë personave të dyshuar për krim të organizuar
BKT
Foto: Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Kronika

Ngrihet aktakuzë ndaj shtatë personave të dyshuar për krim të organizuar

E.Hoti/RTKlive

Prokuroria Speciale  ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj shtatë personave  për krim të organizuar.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se, kundër të pandehurve me inicialet F.U, A.R., F.M., E.M, A.M, E.D. dhe M.V, lidhur me rastin “Mulliri”, është ngritur aktakuzë për kryerjen  e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 të KPRK-së lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale konsideron se ka prova të mjaftueshme që e vërtetojnë se të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara.

“Gjatë hetimeve janë siguruar dhe sekuestruar prova relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit i kanë kryer veprat penale me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm, duke bërë kultivimin e bimës narkotike me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ku të pandehurit janë arrestuar në vendin e ngjarjes”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë Speciale. 


MË SHUME NGA Kronika