Në shkollë me armë, arrestohet 15 vjeçari në Rahovec
Foto: Policia e Kosovës
Kronika

Në shkollë me armë, arrestohet 15 vjeçari në Rahovec

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Një nxënës i shkollës së mesme “12 maji” në Ratkoc të Rahovecit, të martën, kishte shkuar me armë në shkollë të cilën edhe e kishte ekspozuar brenda hapësirave të objektit shkollor.

Informacioni menjëherë u shkoi Policisë së Kosovës të cilët nisën hetimet, derisa tashmë është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari, nxënës i shkollës, i lindur më 2005.

“I njëjti gjatë marrjes në pyetje, në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar se me datën 06.12.2022, në hapësirat e shkollës kishte ekspozuar një pistoletë të llojit Beretta. Pasi janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastin, në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një pistoletë e llojit Beretta, një karikator dhe tre fishekë”, ka njoftuar policia.

Siç bëhet e ditur, me vendim të Prokurorit të Shtetit, pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.


MË SHUME NGA Kronika