Përfundon nën pranga i dyshuari për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Në mëngjesi i së hënës nisi me një incident zjarri në fshatin Peran të Podujevës. Në flakë u përfshi një mobilieri e pastaj zjarri mori përmasa të shpërndarjes duke përfshirë edhe pompën e derivateve.
Për këtë rast që përfundoi vetëm me dëme materiale i menjëhershëm ka qenë reagimi policor.
Përpos policisë, në vendngjarje ishin edhe zjarrfikësit të cilët kanë bërë lokalizimin e zjarrit si dhe evakuimin e personave në atë zonë.
“Bazuar në vlerësimet nga terreni, në vendngjarje janë angazhuar zyrtarë të FSK-së, KEDS-it, zyrtari i komunës për hetimin e shkaqeve të zjarrit, të cilët në bashkëpunim me policinë dhe prokurorin janë marrë me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Megjithatë, zjarri duket të mos ketë qenë i rastësishëm, sepse një i dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm tashmë është dërguar në mbajtje.
“Pas hetimit preliminar, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arrestuar një person i dyshuar, i cili është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.























