Mashtroi për shitblerjen e pesë automjeteve, arrestohet i dyshuari
E.Hoti/RTKlive
Hetuesit Rajonal të Prishtinës, sot kanë arrestuar një person të dyshuar për së paku dy raste të mashtrimit të ndodhura gjatë muajit nëntor.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i a arrestuari E.T, mashkull 26 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Mbështetur në rezultatet e hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se i dyshuari me qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme, ka mashtruar dy punonjës të dy autosalloneve, me të cilët kishte marrëveshje për shitblerjen e 5 automjeteve (vlera e përgjithshme 97.000 euro) , të cilat i dyshuari i kishte tjetërsuar/shitur dhe nuk i kishte paguar”, ka njoftuar Policia.
Lidhur me zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të mundshëm, policia ka nisë një hetim.
“Andaj, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, që me informacionet e tyre të kontribuojnë në hetimin që po kryen policia”, thuhet në njoftim.























