Prokuroria autorizon policinë të hetojë vdekjen e pacientit të operuar
BKT
Kronika

Prokuroria autorizon policinë të hetojë vdekjen e pacientit të operuar

E.Osmani / J.Musliu/RTK

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rastin e pacientit i cili vdiq dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare, pas një operacioni të rrallë në zemër.

Zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj, tha se Prokuroria do të veprojë tutje në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale.

“Lidhur me këtë çështje, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, që të fillojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme në mënyrë që të sqarohet ky rast”, thotë Ulaj për RTK-në.

Ajo sqaroi se  në varësi të rrjedhës së këtyre hetimeve dhe nëse paraqitën elemente të veprës penale, atëherë Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të ndërmarrë veprime të tjera ligjore.

“Këto janë veprime para penale hetimore të cilat Prokurori  i Shtetit, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, autorizon Policinë e Kosovës që të fillojë me ndërmarrjen e veprimeve dhe në varësi të gjetjeve të këtyre rezultateve, atëherë do të veprohet tutje”, tha zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Një pacient ka vdekur në Klinikën e Kardiokirurgjigjisë, ndonëse mjeku, Kushtrim Shala, operacionin e kishte cilësuar si të suksesshëm.

Pas kësaj, ka pasur reagime të shumta, e njëri ndër këto reagime ishte edhe ai i ushtruesit të detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, i cili e cilësoi si jokompetent mjekun që kreu intervenimin.


MË SHUME NGA Kronika