I arrestuari për plagosjen në Shtërpcë është pjesëtar i FSK-së
B. H. / RTKlive
(I plotësuar) I arrestuari nga policia e Kosovës si i dyshuar për plagosjen e dy personave në fshatin Drajkovc të Shtërpcës është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një njoftimi në Facebook.
“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka theksuar ministri Mehaj, pa dhënë detaje tjera lidhur me personin në fjalë.
Ai ka shprehur keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë, derisa të plagosurve u ka uruar shërim sa më të shpejtë.
“Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t'i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka thënë tutje ministri Mehaj.
Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë
(I plotësuar) Është arrestuar i dyshuari për plagosjen e dy personave në fshatin Drajkovc të Shtërpcës. Reagimi i policisë rajonale të Ferizajt ka qenë i menjëhershëm dhe është arritur që i dyshuari të vihet nën pranga vetëm pak orë pas ngjarjes.
“Pas një pune intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren është identifikuar e më pas është arrestuar i dyshuari A.K. (Mashkull/Kosovar) i moshës 33-vjeçare”, ka njoftuar policia.
Sipas njoftimit i dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt për veprime tjera hetimore.
Plagosen dy persona në Shtërpcë
Dy persona janë plagosur, të premten, në orët e pasditës në fshatin Drajkovc të Shtërpcës nga persona tash për tash të panjohur, ka njoftuar Policia e Kosovës.
“Sot, datë 06.01.2023 rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtērpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar policia.
Sipas njoftimit, dy të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës.
Sipas policisë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë, derisa janë marrë të gjitha veprimet nga policia për hetimin e këtij rasti.
Policia ka bërë të ditur se aktualisht rruga që dërgon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes.























