E rrahu gruan për vdekje, bashkëshorti dënohet me 15 vjet burg
Foto: Gjykata Themelore në Prizren
Kronika

E rrahu gruan për vdekje, bashkëshorti dënohet me 15 vjet burg

J.Musliu/RTKlive

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim prej 15 vjetësh burg, ndaj të akuzuarit I.H. Ky shtetas është shpallur fajtor për shkak se i njëjti  i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në humbjen e jetës.

Tashmë i dënuari, derisa drejtonte veturën, në dalje të fshatit Samadrexhë, në rrugën “Avni Hodaj, rreth 400 metra larg rrugës kryesore Suharekë-Rahovec, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë.

“Kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt,  ia kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti”, shkruan në aktvendimin e gjykatës.

“Për rrjedhojë, e ndjera  pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e autopsisë nga Dr.F.B., ekspert mjeko-ligjor nga të cilat lëndime më vonë ajo vdes, në QKUK në Prishtinë me datën 15 qershor 2019”.

Në këto rrethana, trupi gjykues konstaton se ky shtetas ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk ka qenë kontestuese se i akuzuari me të ndjerën vazhdimisht kanë pasur mosmarrëveshje, pasi që edhe dëshmitarët dhe vet i akuzuari ka deklaruar këtë fakt.

Andaj për gjykatën është fakt i pa kontestuar se në vazhdimësi ndaj të ndjerës nga ana e të akuzuarit ka pasur maltretime dhe keqtrajtime fizike e psikike.

Sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme, në rigjykim është bërë ri konstruktimi i vendit të ngjarjes.

Gjykata ia fali besimi  konstatimit të ekspertit komunikacionit se rasti nuk ka mundur të jetë aksident i komunikacionit, me rastin e lëndimeve të pësuara nga e dëmtuara.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Në fakt,  Gjykata Themelore në Prizren, me datë 3 shkurt 2021, të akuzuarin I.H., për veprën penale si më lart e kishte dënuar me 15 vjet burg.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë e kishte vërtetuar.

Gjykata Supreme, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, dhe ka kthyer rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prizren.


MË SHUME NGA Kronika