Arrestohet i dyshuari për vrasje në tentativë në Prishtinë
Foto: Policia e Kosovës
Kronika

Arrestohet i dyshuari për vrasje në tentativë në Prishtinë

E. Hoti/ RTKlive

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një 36-vjeçar të mërkurën nën dyshimin për vrasje në tentativë në Prishtinë.

“Sot nga njësiti i hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, është arrestuar një person i dyshuar për veprën vrasje në tentativë, që ka ndodhë me datën 08.01.2023, në lagjen Emshir, në Prishtinë, saktësisht në një lokal ku nga arma e zjarrit është plagosur një person” , shkruan në njoftimin e PK-së.

Policia ka njoftuar se hetuesit rajonal kanë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore të cilat kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar, si dhe arrestimin e njërit nga ta.

“Personit  të arrestuar  I. Q,  mashkull 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit me vendim të  prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për veprat vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje”.

Më tej në njoftim shkruan se atij i janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, një karikator, 14 fishekë si dhe një thikë.

Bëhet e ditur se hetuesit janë në kërkim edhe të personit të dytë të dyshuar, i cili ndodhet në arrati.


MË SHUME NGA Kronika