Shtirej si zyrtar policor, arrestohet i dyshuari për dhunim
E. Hoti/ RTKlive
Policia e Kosovës ka arrestuar sot një 38 vjeçar të dyshuar për veprën penale “Dhunim”.
Sipas njoftimit të Policisë, i arrestuari dyshohet se ishte prezantuar rrejshëm si zyrtar policor.
Rasti ishte raportuar më 10 shtator të vitit të kaluar, ndërsa pas punës disa mujore të hetuesve policorë sot është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari R.S.
“Mbështetur në rezultatet e hetimit, personi i dyshuar: - R.S, mashkull 38 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se veprën e dhunimit, ndaj ankueses (femër) e ka kryer, duke u prezantuar rrejshëm (si zyrtar policor)”, është thënë nga Policia.
Bëhet e ditur se me vendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është dërguar në vuajtje të dënimit, pasi që ndaj tij kanë qenë 7 urdhëresa aktive nga Gjykata.























