Merrnin ryshfet për provimin e patentë-shoferit, dy persona në pranga
M.Shefkiu/RTKlive
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka arrestuar dy persona të dyshuar, se në bashkëveprim, kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit në sektorin privat”. Të arrestuarit kanë marrë para nga kandidatët, që përmes pajisjeve për komunikimi në largësi, t’ua kalonin provimin për patentë-shoferë.
Sipas njoftimit të policisë, me 14 shkurt, pas hetimeve intensive disamujore të zhvilluara nga hetues të krimeve ekonomike, është realizuar një urdhëresë e gjykatës, me ç’rast është kontrolluar një autoshkollë në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar se pronari i saj në këmbim të parave ua kryen provimet teorike dhe praktike për patentë shofer kandidatëve të interesuar.
“Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë: I.M dhe B.M, të cilëve gjatë kontrollit të realizuar janë gjetur dhe janë sekuestruar si prova materiale: pesë folderë me kopje të testeve që dyshohet se janë të njëjta me teste për patentë shofer, një folder me të dhënat e kandidatëve si dhe dy pajisje që janë përdorur nga të dyshuarit për komunikim në largësi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit të dy personave të dyshuar, ndaj tyre është lëshuar aktvendimi për ndalim 48 orë dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje, thuhet në njoftim.























