Të shtëna me armë zjarri në afërsi të njësitit policor në Zveçan
E. Hoti/ RTKlive
Njësiti policor në Zveçan mbrëmë rreth orës 22:00 ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi të pikës së kontrollit ku ishin duke qëndruar.
Sipas policisë, zyrtarët policorë kanë gjetur nëntë gëzhoja të armës në vendin e ngjarjes, por nuk kanë hasur ndonjë person të dyshuar.
Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës e cilësoi këtë incident si “sulm kundër rendit kushtetues”.
“Njësiti policor ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi/distancë ku ishin duke qëndruar në pikë kontrolli.Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa dhe kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur nëntë gëzhoja të armës së gjatë por nuk kanë hasur ndonjë person të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe po hetohet nga njësitë relevante.























