Shtyhet gjykimi fillestar ndaj të akuzuarit Azem Kurtaj
Driton Ramadani / RTK
Shtyhet gjykimi fillestar ndaj të akuzuarit Azem Kurtaj, kështu ka vendosur gjyqtari i rastit, Imri Sejda, pasi që mbrojtja e të dëmtuarëve ka kërkuar që atyre t’u sigurohet përkthimi i aktakuzës dhe dokumenteve të tjera në gjuhën serbe.
Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzon Azem Kurtaj për veprat penale "Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm", dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas prokurorisë ekziston dyshimi se Azem Kurtaj më 6 Janar 2023, ka shkaktuar rrezikim të përgjithshëm dhe përdorimit të armës me ç’rast janë lënduar dy persona në nacionalitetit serb.
Në anën tjetër mbrojtja e të akuzuarit Azem Kurtaj, avokati Kujtim Kërveshi ka kërkuar që gjykata të ndërpres paraburgimin ose të caktojë një masë tjetër për klientin e tyre ngase kanë pushuar kushtet ligjore për mbajtjen në paraburgim.
Sipas avokatit Kujtim Kërveshi, sipas aktvendimit mbajtja e klientit të tij në paraburgim është e kundërligjshme sepse pas ushtrimit të aktakuzës, kanë pushuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të klientit tonë meqë as me aktakuzë tani mbrojturi ynë nuk akuzohet për veprën penale të vrasjes së rënd të mbetur në tentative", ka thënë Kerveshi.
Sipas tij tani aktakuza kundër Azem Kurtaj është ngritur për veprat penale ,"shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës".
Seanca e radhës është caktuar për 16 mars 2023























