Atentati në Tiranë/ Sekuestrohen kamerat e sigurisë
Kronika

Atentati në Tiranë/ Sekuestrohen kamerat e sigurisë

RTSH

Vijojnë hetimet për të zbardhur autorët e atentatit të ndodhur mbrëmjen e 12 marsit në rrugën "Ananstas Shundi", tek zona e njohur si "Don Bosko" në Tiranë.

Ka qenë ora 21:05 kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me kallashnikov drejt një lokali duke lënë të vrarë 60 vjeçaren, Mimoza Paja e cila punonte si banakiere në lokal. Plumbat kanë kapur dhe 5 persona që ndodheshin aty, ndërsa mbesa e Mimozës, vetëm 10 vjeçe është lënduar në dorë nga ciflat e xhamit.

Të plagosurit Sait M. 50 vjeç; Astrit M. 42 vjeç, Emanuel S. 47 vjeç, Ermir. B, 45 vjeç dhe Genc Sh. 55 vjeç janë dërguar në Spitalin e Traumës.

Grupi hetimor ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë të cilat mund ti ndihmojnë në zbardhjen e atentatorëve. 

Atentati  ndodhi në lokalin që ishte në pronësi të Fatjon  Muratit, person me precedentë penalë.

Ende janë të paqarta rrethanat si ka ndodhur atentati.

Vetë Drejtori i hetimit të krimeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Alket Shatro ishte dje në vendin e ngjarjes.

Policia informoi mbrëmë se kishte ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër dhe se vijonin kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshiheshin autorët.


MË SHUME NGA Kronika