Policia e Kosovës parandalon edhe një rast të kontrabandimit me mallra
V. Thaçi / RTKlive
Policia e Kosovës njofton se mbrëmë rreth orës 20:40 policia kufitare në një pikë kontrolli ka ndaluar një automjet transportues me targa të Serbisë, në të cilën ndodheshin i dyshuari A. S. drejtuesi i mjetit mashkull shtetas i Serbisë dhe pasagjeri J. A. shtetas i Serbisë.
Sipas njoftimit të policisë gjatë legjitimimit të tyre, është vërtetuar se të njëjtit kanë tentuar të bëjnë kalim ilegal të vendkalimit kufitar nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, “ku me këtë rast po ashtu është realizuar një kontroll tek personat e lartcekur dhe në kamionin e tyre janë gjetur rreth 257 pako me rreth 90.000 kokrra vezë për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumente përkatëse”, thuhet në komunikatën e policisë.
Lidhur me rastin automjeti është dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë Jug, ndërsa pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.