19:06 / 16.03.2023
Arrestohen 7 zyrtarë të kompanisë së pastrimit në Pejë
Islam Haxhiu / RTK
Policia ka arrestuar sot shtatë zyrtarë të kompanisë publike të pastrimit në Pejë.
Punëtorët e kompanisë “Ambienti”, janë arrestuar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Shkodran Nikçi,zëdhënës në këtë prokurori, deklaroi se të arrestuarit janë prangosur pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Të arrestuarit janë anëtarë të Bordit të kësaj kompanie publike si dhe disa janë zyrtarë të tjerë të saj.
Lidhur me rastin sot gjatë ditës është deklaruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Përmes një shkrimi në Facebook ai ka thënë se epoka e tolerimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe pasurimit në kurriz të qytetarëve ka përfunduar.