Dyshime për zjarrëvënie në shtëpinë e Alban Selimit, gazetarit të RTK-së
J. Musliu/ RTKlive
Një zjarr ka shpërthyer në garazhën e shtëpisë së gazetarit të RTK-së, Alban Selimi.
Garazha e familjes Selimi ndodhet në objektin e shtëpisë dhe nga ky zjarr, është rrezikuar e gjithë familja.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para, dyshohet se zjarri është vënë qëllimshëm.
Kjo për faktin se zjarri ka djegur një pjesë të derës së garazhës, por nga ana e jashtme e saj.
Vetë gazetari Selimi, i kontaktuar nga RTKlive deklaroi se tash për tash, nuk ka më shumë se çfarë të thotë, vetëm se në vendin e ngjarjes, tashmë janë edhe policia.
Por në rrjetin social Facebook, ai la të nënkuptohet se zjarri mund të jetë vënë qëllimshëm.
"Dikush ia vuni flaken; me m’frikesu. S’ia arrijne qellimit!", shkroi Selimi.
Ndërkohë, policia është duke kryer hetimet e para dhe më vonë pritet të dalë me deklaratë zyrtare.
Shtëpia e gazetarit Selimi ndodhet në Bresje të Fushë Kosovës.
Gazetari Selimi në RTK është pjesë e redaksisë së emisioneve hulumtuese “Udhëve”.
Përgjatë viteve, ai ka realizuar shumë emisione hulumtuese për tema të ndryshme. Megjithatë, ende nuk dihet nëse ky zjarr ka ndonjë lidhje me punën e tij.