Reagon komuniteti evropian i gazetarëve: Të dënohet sulmi ndaj Valon Sylës
M.Sh/RTKlive
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, ka reaguar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Gutiérrez nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, i ka bërë thirrje kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ta dënojnë publikisht sulmin.
“Heshtja e tyre është shqetësuese për mua. Liderët politikë kanë për detyrë të dënojnë publikisht sulme të tilla”, ka shkruar Gutierrez, transmeton AGK.
Teksa ka thënë, se i bashkohet AGK-së, në thirrjen ndaj policisë dhe organeve kompetente, që të identifikojnë sa më parë autorët dhe ndaj tyre të shqiptohet dënimi maksimal.
Reagime për sulmin nda gazetarit Syla kanë ardhur edhe nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Ky institucion ka dënuar ashpër sulmin ndaj gazetarit Syla, i cili u sulmua fizikisht nga tre persona të panjohur duke i shkaktuar lëndime trupore.
Po ashtu kjo Qendër i bën thirrje autoriteteve në Kosovë që të zhvillojnë hetime në mënyrë të pavarura e profesionale.
“I bëjmë thirrje autoriteteve kosovare, që në mënyrë profesionale dhe të pavarur të zhvillojnë hetimet, në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë.”
Prokuroria po e heton sulmin ndaj gazetarit Syla, LDK dënon aktin e dhunës
Sulmi fizik ndaj gazetarit Valon Syla në mbrëmjen e të martës ka ngjallur reagime gjithandej opiniot kosovarë. Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se është duke e hetuar rastin, ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar angazhimin e institucioneve të rendit, për vënien para drejtësisë të sulmuesve.
“Ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’ rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes”, thuhet në reagimin Prokurorisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti, sipas Prokurorisë, është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, dhe “sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”.
E sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë - shtylla thelbësore të vet demokracisë.
“Angazhimi ynë për një shoqëri të lirë dhe demokratike nënkupton angazhimin për mbrojtjen e fjalës së lirë të secilit. Prandaj sulmi ndaj gazetarit Syla është sulm ndaj këtij angazhimi. Ftoj organit e rendit dhe drejtësisë të gjejnë sulmuesit dhe të njëjtit t’i vënë para vet drejtësisë”, deklaron Abdixhiku.























