Ngacmoi seksualisht pasagjeren, arrestohet taksisti në Gjilan
BKT
Foto: Arkiv/Policia
Kronika

Ngacmoi seksualisht pasagjeren, arrestohet taksisti në Gjilan

M.Shefkiu/RTKlive

Një taksist nga rajoni i Gjilanit është arrestuar nga policia e Kosovës pas denoncimit nga një pasagjere, e cila kishte raportuar se shoferi e kishte ngacmuar seksualisht. Madje sipas vajzës, taksisti e kishte dërguar në një vend të panjohur.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se deri sa ishte duke u kthyer në shtëpi, kishte hipur në një TAX-i me drejtues i dyshuari mashkull kosovar, i cili e kishte dërguar në një vend të panjohur dhe ngacmuar seksualisht”, njofton Policia në raportin 24 orësh.

I dyshuari, sipas policisë, është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është  dërguar në mbajtje.

Ndryshe, raporti i fundit i policisë është i mbushur me raste të dhunës në familje dhe ngacmime seksuale.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se përmes rrjeteve sociale është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar me të cilin kishte pasur kontakte të mëhershme përmes rrjetit social facebook. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, është një rast tjerë i raportuar nga Policia që ka ndodhur në rajonin e Prishtinës.

Edhe rasti tjetër që ka ndodhur në kryeqytet lidhet me ngacmimin seksual, gjatë një kohe sa një grua po e shikonte një banesë që donte ta merrte me qira.  

“Viktima femër kosovare ka raportuar se derisa ka shkuar tek shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar (të cilën do ta merrte me qira)  është sulmuar seksualisht pa dëshirën e saj. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Kronika