Në Lubishtë të Vitisë konfiskohen rreth 500 kilogram duhan
M.Sh/RTKlive
Policia e Kosovës nga rajoni i Lindjes kanë bastisur një shtëpi në fshatin Lubishtë të Vitisë dhe kanë sekuestruar rreth 500 kilogram duhan të përpunuar dhe në fletë, të sjellë nga Maqedonia e veriut në Kosovë. Personit që i është kontrolluar shtëpia i është konfiskuar edhe një havan dhe peshore e duhanit.
“Policia Kufitare e Kosovës, konkretisht njësitet e Task Forcës dhe hetimet rajonale të Drejtorisë kufitare-Lindje, bazuar në informacione relevante dhe me urdhër të prokurorit të shtetit në Gjilan kanë realizuar një operacion kontrolli në një shtëpi dhe objektet e saj përcjellëse në fshatin Lubishtë, komuna e Vitisë. Gjatë operacionit policor dhe kontrollit në atë lokacion janë gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e duhanit të përpunuar dhe të pa përpunuar (në fletë) rreth 500 kg, ambalazhe për paketimin e duhanit, një peshore dhe një grirëse e duhanit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mallrat të cilat dyshohet se janë kontrabanduar rrugëve ilegale nga Republika e Maqedonisë veriore në Republikën e Kosovës, sipas policisë, janë sekuestruar dhe së bashku me rastin me urdhër të Prokurorit i dorëzohen Doganës së Republikës së Kosovës për procedura të mëtejme.























