Arrestohet ish-drejtori i Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë
N.M. /RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar ish-drejtorin e Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë, A.K. nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kontrata rreth realizimit të disa projekteve në Burgun e Dubravës, në vlerë afro 200 mijë euro.
Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari moshës 42 vjeçare në cilësi të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka nënshkruar kontratë rreth realizimi të disa projekteve në Burgun e Dubravës me një kompani në vlerë prej 199,500 euro.
“Dyshohet se projektet në Burgun e Dubravës ishin tashmë të realizuara në vitet 2016-2018, (në Pavionin 4, vlera 271,466.66 €- realizuar në vitin 2016-2018, në Pavionin 6, vlera 233,309.00 € – realizuar në vitin 2016-2018 dhe ndriçimin e perimetrit të jashtëm të Burgut të Dubravës, Faza I, në vlerë 15,240.00 €, Faza II në vlerë 18,675.00 € dhe faza V në vlerë 20,000.00 € – realizuar në vitin 2016-2018). Vlen te ceket se në vitin 2021 ndaj personit të njëjtë ishte iniciuar një rast tjetër nga policia”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Bëhet e ditur se Hetuesit policorë nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, premten pas disa veprimeve operative e taktike dhe hetimore, kanë arrit të sigurojnë informata dhe prova për të dyshuarin A.K.
“Sot, i dyshuari është shoqëruar në polici, është intervistuar ndaj tij është iniciuar rasti ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.























