Dyshime për keqpërdorim me procedurat e ndërtimit, bastisen 12 lokacione
E. Hoti/ RTKlive
(E plotësuar) Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, sot në orët e hershme ka filluar kontrollin në 12 lokacione të ndryshme, me qëllim të sigurimit të provave.
"Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është realizuar në pronat e të dyshuarave H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B. ", thuhet në njoftim.
Të njëjtit u tha se në cilësinë e personave zyrtar, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Lidhja e kontratës së dëmshme” si dhe “Mashtrimi”.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro”, thuhet më tej në njoftim.
Prokuroria njofton gjithashtu se gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në 12 lokacione të ndryshme, janë sekuestruar prova materiale të cilat do të jenë të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Si prova janë sekuestruar 17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, 6 laptop, 2 shtëpiza, 11 telefona, 2 sim card, 6 usb.
Bastisje në Ndërmarrjen Publike Banesore
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke zhvilluar një aksion në Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se angazhimi ndaj çdo lloj krimi do të intensifikohet.
“Që nga mëngjesi i hershëm janë duke u zhvilluar tre aksione nga Drejtori të ndryshme të Policisë së Kosovës. Krimet ekonomike në Ndërmarrjen Publike Banesore, Krimet e Rënda janë duke zhvilluar aksione kundër fajdeve dhe Krimet Kibernetike për mashtrimet me kartela bankare”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai tha se angazhimi ndaj çdo lloj krimi do të intensifikohet, teksa ka përgëzuar Departamentin e Hetimeve për secilin rezultat të arritur.
Ndërkohë, edhe zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi tha se Policia po i zhvillon dy operacione të ndara për çështje të ndryshme në Prishtinë.
Bajrami shtoi se ky aksion është në përfundim e sipër dhe sapo të përfundojë, Policia do të dalë me njoftim.























