Në Istog gjenden 540 bimë kanabisi mes hithrave
E. Hoti/ RTKlive
Në Istog janë hasur bimë të dyshuara narkotike nga një person i cili më pas ka lajmëruar Policinë.
Policia ka sqaruar se bimët e kanabisit ishin nëpër hithra dhe shkurre dhe se nuk ishin nën përkujdesjen e dikujt.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ka hasur në disa bimë të dyshuara si bimë narkotike. Njësitë relevante policore kanë dalur në vendin e ngjarjes ku kanë vërejtur se kishte disa bimë të dyshuara të llojit Kanabis Sativa të cilat ishin nëpër hithra dhe shkurre, dhe vërehej se nuk ishin nën përkujdesjen e faktorit njeri”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Në raportin ditor të PK-së u njoftua se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që nga vendi i ngjarjes të merren mostrat, të bëhet fotografimi dhe pastaj të bëhet asgjësimi.
Tutje u tha se pas fotografimit dhe marrjes së mostrave janë asgjësuar të gjitha bimët e dyshuara gjithsej 540 bimë.
Bëhet e ditur se rasti vazhdon të hetohet nga organet kompetente.























