Policia largon pikën e saj statike të djegur gjatë natës në veri
BKT
Kontejneri i Policisë së Kosovës i djegur mbrëmë në Mitrovicën e Veriut/ Foto: Metropol Media
Kronika

Policia largon pikën e saj statike të djegur gjatë natës në veri

J.Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Policia e Kosovës e ka larguar piken statike që është djegur në orët e hershme të mëngjesit.

 

Veton Elshani, Zëvëdësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, ka konfirmuar për RTK-në se hetimet për këtë rast ende po zhvillohen.

Gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica, duke raportuar për RTKlive nga Mitrovica e Veriut, njofton se aktualisht në këtë komunë, situata paraqitet e qetë.

Dy incidente në Mitrovicën e Veriut gjatë natës së kaluar

Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës konfirmoi se është djegur një pikë statike (kontejner) e saj, në veri të Kosovës.

Kjo pikë statitke ishte e vendosur në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht në afërsi të ndërtesave të njohura si “Tre rrokaqiejt”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi këtë incident.

“Te ‘Tre Rrokaqiejt’ ka qenë një kioskë. Mbrëmë është hedhur një mjet ndezës dhe është dëmtuar”, ka konfirmuar Elshani.

Ai ka sqaruar se pranë saj, nuk ka pasur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Ditën ka mundësi që policia të qëndrojë aty, por varet prej planifikimeve”, ka deklaruar Elshani.

Njëkohësisht, Elshani ka konfirmuar se pak para mesnatës, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë tentuar të ndalojnë veturën e drejtuar nga një person.

Ai tha se vozitësi nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë dhe vazhdoi tutje.

“Policia e ka ndjekur dhe ka gjetur një automjet të braktisur në rrugën ‘Sutjeska’”, deklaroi Elshani.

Sipas tij, vetura është kontrolluar dhe më pas policia është larguar nga vendi i ngjarjes, duke shpjeguar se lidhur me këtë rast, ende askush nuk është arrestuar.

Përndryshe, situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, ndonëse mbetet e tensionuar.


MË SHUME NGA Kronika