Policia jep detaje për vrasjen e 67-vjeçares që u tha se vdiq në aksident
BKT
Kronika

Policia jep detaje për vrasjen e 67-vjeçares që u tha se vdiq në aksident

E.Hoti/RTKlive

(Plotësuar) 67-vjeçarja që fillimisht u raportua se vdiq nga lëndimet në aksident në Samadraxhë të Suharekës, tani po dyshohet se vdiq, pasi një person e shtyu atë.

Lajmin për RTKlive e ka bërë të ditur zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai ka thënë se pas rishikimit të provave në vend të ngjarjes është vërtetuar se viktima nuk ka vdekur nga lëndimet në aksident, por dyshohet se është shtyrë nga një person.

“Me date 29.06.2023, rreth orës 21 e 50 , është raportuar një aksident trafiku mes dy automjeteve në fshatin Samadraxhë, KK  Suharekë. Policia e ka trajtuar rastin e aksidentit, njëra nga pjesëmarrëset në aksident nga emergjenca është transportuar për në QKMF në Suharekë. Rreth orës 21:54 në QKMF mjeku kujdestar e ka vërtetuar vdekjen e viktimës, femër 67 vjeçare. Nga mbledhja e dëshmive nga vendi i ngjarjes, dyshohet se viktima nuk ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri më tani nuk dihen. Dyshohet se i dyshuari  pas aksidentit ka dal nga automjeti dhe janë fjalosur me palën tjetër,  dhe në një moment e ka shtyrë  viktimën e cila është rrezuar”,ka thënë Bytyqi .  

Ai ka deklaruar se deri më tani nuk dihen shkaqet e vdekjes,  por se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Viktima ka qenë pasagjere në automjetin tjetër të përfshirë në aksident. Pra, deri më tani nuk dihen shkaqet e vdekjes,  por prokurori  kujdestar ka urdhëruar që të hapet rast " Vrasje nga pakujdesia".I dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim të alkoolit. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i njëjti është ndaluar për 48 orë”,  ka shtuar Bytyqi.

Arrestohet i dyshuari për vrasje nga pakujdesia në Suharekë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar për vrasje nga pakujdesia.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 21:54 në Suharekë.

Ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore  për obduksion.

“Lidhur me rastin e lartcekur është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i dyshuar mashkull kosovar”, ka njoftuar PK në raportin e saj ditor.

 Rasti është në procedurë hetimore dhe është iniciuar si “Vrasje nga pakujdesia”.


MË SHUME NGA Kronika