Vdes një 26-vjeçar në Ferizaj, ra nga ballkoni
BKT
Kronika

 Vdes një 26-vjeçar në Ferizaj, ra nga ballkoni

E.Hoti /RTKlive

Një 26 vjeçar ka vdekur mbrëmë pasi ka rënë nga terasa e katit të III-të të një obkekti banesor.

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e  Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai tha se 26-vjeçari ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, teksa tha se vdekjen e kanë konfirmuar mjekët.

“Mbrëmë rreth orës 19:45 kemi pranuar një informatë se në rrugën “At Nikë Prela” në Ferizaj një person R.K ( M/K) 26-vjeçar ka rënë nga terasa e katit të III-të të një objekti banesor në tokë dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e tij është konfirmuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.Veç policëve të rendit në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët rajonal të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar kanë nisur hetimet”, tha Veseli.

Ai tutje bëri të ditur se viktima ka rënë në tokë bashkë me mbajtëset e ballkonit, ndërsa rasti është cilësuar si  "Vdekje e dyshimtë".

“Nga hetimet e para mësohet se viktima derisa ishte në ballkon ka rënë bashkë me mbajtëset e ballkonit në tokë. Janë njoftuar edhe inspektorët e punës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML –Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar " Vdekje e dyshimtë", tha Veseli.


MË SHUME NGA Kronika