Policia jep detaje për aksidentin në fshatin Bibaj
E. Hoti / RTKlive
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku si pasojë ka humbur jetën një person dhe tre të tjerë janë lënduar.
Policia në raportin e saj 24 orësh ka njoftuar se aksideni ka ndodhur në fshatin Bibaj në mes një kamioni dhe një veture me targa vendore.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se viktima është e gjinisë femrore, ndërsa të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësorë në QKUK.
“Një automjet transportues (kamion) dhe një veturë me targa vendore, me drejtues meshkuj kosovar janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident ka ndërruar jetë një person femër kosovare (pasagjere në veturë) si dhe lëndime trupore kanë pësuar disa tjerë”, ka njoftuar PK.
Tutje u tha se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, ndërsa drejtuesi i automjetit transportues është dërguar në mbajtje.























