Falsifikoi dokumentet zyrtare, i vazhdohet paraburgimi
M.Sh/RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar, dhe Falsifikim i dokumentit zyrtar.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Kjo e fundit pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, ka gjetur se kërkesa e prokurorit është e bazuar, ashtu që marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete, ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B.
Kundër këtij aktvendimi, thuhet se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.























