Konfiskohet një armë në aheng familjar në Skenderaj
E. Hoti / RTKlive
Një 21 vjeçar është intervistuar sot pasdite në fshatin Tërnavc të Skenderajt, pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e paradites ka pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri.
“Me të pranuar informacionin janë ndërmarrë veprime policore, ku pas një kohe të shkurtër njësitet policore kanë identifikuar vendin nga ku ishin dëgjuar të shtënat, me ç’rast në vendin e ngjarjes, në një aheng familjar në fshatin Ternavc, në cilësi të provave materiale është konfiskuar një pistoletë me dy gëzhoja”, ka njoftuar PK.
Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar F. H., 21 vjeçar, shtetas i Kosovës, ku pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Tutje u bë e ditur se ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale ’’Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të pa autorizuar të armë dhe përdorim i armës’’.























