Anulohen aktivitetet në Lipjan pas tragjedisë në familjen Bekteshi
M.P. / RTKlive
Pas lajmit tragjik të dy vrasjeve dhe një vetvrasjes në familjen Bekteshi, në Komunën e Lipjanit janë anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për diasporën.
Me vendim të kryetarit Imri Ahmeti, nuk do të mbahet programi “Mërgata Fest &Sport”.
“Të dashur qytetarë, të gjitha aktivitetet e Mërgata Fest & Sport janë pezulluar. Ngjarja e mbrëmshme në familjen Bekteshi tronditi thellësisht mbarë opinionin e gjerë”, thuhet në njoftimin e komunës.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, dje për RTKlive ka konfirmuar se sipas informatave nga vendi i ngjarjes në Rufc të Lipjanit, dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje. Ajo tha se trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion.























