Kërkohet paraburgim për të pandehurin që kanosi deputeten Musliu Shoshi
M.P. / RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ngritur aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.B. i cili ka kanosur deputeten e Kuvendit të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur, më 02.05.2023, rreth orës 19:00, përmes rrjetit social 'Facebook', me dashje dhe me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht të dëmtuaren A.M-SH., deputete e Kuvendit të Kosovës, për shkak të detyrës së saj”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe i njëjti të shpallet fajtor.
“I pandehuri nga një profil në rrjetin social “Facebook” i drejtohet deputetes: “…sa te vije ne pushim… edhe dy muj i ke jete midis Prishtinës ka met masakrue…”, ku me këtë rast tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe e pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të kanosjes”, thuhet në raportin e Prokurorisë.























