Arrestohet një i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile
BKT
Foto: RTKlive
Kronika

Arrestohet një i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

V.Th. RTKlive

Policia e Kosovës njofton se sot ka arrestuar një të dyshuar për krime lufte.

Sipas njoftimit hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimet e Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, për një periudhë kohore kanë zhvilluar veprime  hetimore, mbledhje të dëshmive e provave dhe identifikimin e kryerësve të veprave penale të krimeve të luftës.

Tutje thuhet se këto hetime kanë qenë të përqendruara rreth zbulimit të autorëve të krimeve të kryera në periudhën 1998-1999 në rajonin e komunës së Istogut.

“Në vazhdën e angazhimeve hetimore është arritur të mblidhen dëshmi dhe prova për krimet dhe kryesit e këtyre veprave penale. Hetuesit policorë kanë  pranuar dhe përpunuar informata të shumta operative në drejtim të identifikimit, vendndodhjes dhe lokalizimit të të dyshuarit, aktivitetit dhe lëvizjeve të tij, në dhe jashtë territorit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Procesi hetimor është ndihmuar nga zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë me të cilët është bashkëpunuar ngushtë në një punë ekipore, ku është bërë përpunimi inteligjent i informatave.

"Nga bashkërendimi i aktiviteteve është bërë e mundur të identifikohet një i dyshuar për krime lufte, i cili në kohën e luftës 1998-1999 ishte krye-shef i milicisë në Istog. I dyshuari M.P., është arrestuar sot, më 04.08.2023, në ora 18:05, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare. Me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë", thuhet tutje në njoftim.


MË SHUME NGA Kronika