Ranillug, shpërthim në lokalin e deputetit serb
BKT
Kronika

Ranillug, shpërthim në lokalin e deputetit serb

E. Hoti / RTKlive

Policia e Kosovës njoftoi se mbrëmjen e 5 gushtit në Ranullugë ka ndodhur një shpërthim brenda një lokali, duke shkaktuar vetëm dëme material. Lokali dyshohet të jetë pronë e deputetit të Listes Serbe, Zoran Maksimoviq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani konfirmoi për RTKlive se rasti ka ndodhur rreth orës 22:45, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar.

“Me datën 06.08.2023 rreth orës 14:15 Stacioni i Policisë Ranillugë ka pranuar informacion se tek lokali i quajtur "Kod Maksi'' pronë e Z.M. (mashkull, kosovar serb) dyshohej se ka shpërthyer një mjet shpërthyes. Rasti dyshohet të këtë ndodhur më datë: 05.08.2023 rreth orës 22:45. Njësitet policore relevante patrulluese, hetues nga Stacioni Policor Ranillugë, hetues rajonalë duke përfshirë Krim Teknikën Rajonale dhe Njësinë për trajtimin e mjeteve eksplozive i janë përgjigjur rastit", tha Hashani.

Ai njoftoi se nga vendi i ngjarjes është raportuar se nga ky rast lëndime trupore nuk ka pësuar askush përpos disa dëmeve të vogla materiale.

“Pronari i lokalit nuk është takuar nga policia pasi i njëjti për momentin gjendet në pushime jashtë Republikës së Kosovës”, shtoi Hashani.

Zëdhënësi i PK-së është shprehur se rrethanat se si ka ndodhur rasti vazhdojnë të hetohen nga Hetues Rajonalë të Policisë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.​ 

Lokali dyshohet të jetë pronë e deputetit  serb Zoran Maksimoviq, teksa për këtë rast ka reaguar edhe Lista Serbe.

“Është urgjentisht e nevojshme të vërtetohen të gjitha faktet dhe rrethanat e këtij sulmi, sepse është e papranueshme që të sulmohen qytetarët pa asnjë arsye, e sidomos jo përfaqësuesit e popullit serb”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Listës Serbe.


MË SHUME NGA Kronika