Policia nis planin ‘Goditja’, shtohen patrullimet në zonat urbane
M.P. / RTKlive
Policia e Kosovës nga sonte ka filluar së zbatuari planin operativ “Goditja”. Ky plan parasheh ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, duke shtuar patrullimet policore.
“Detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky plan operativ i cili do të shtrihet në gjithë vendin, do të vijojë me bashkëpunimin me organet e drejtësisë për koordinim të aktiviteteve dhe trajtimin e rasteve.
“Policia do të trajtojë në aspektin policorë çdo informatë nga qytetarët dhe informatat inteligjente, me qëllim të parandalimit të rasteve e akteve kriminale. Do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën”, njofton Policia e Kosovës.


























