Njëri nga të plagosurit në Runik, në gjendje kritike
M.Shefkiu/E.Podvorica/RTKlive
Njëri nga të plagosurit e natës së mbrëmshme në Runik të Skenderajt është në gjendje kritike, ndësa dy të tjerët, pasi kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, janë në gjindeje stabile. Sipas mjekut kujdestar, personi që është në gjendje të rënë, i është amputuar këmba dhe ka hemorragji.
“Gjendja e tij është kritike. Atij i është amputuar këmba deri në nëngju, dhe është me hemorragji, ndërsa dy të tjerët kanë marrë trajtim mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetë, aktualisht po trajtohen në QKUK”, kështu ka deklaruar për RTK mjeku kujdestar në Intensiven Qendrore të QKUK-së, Betim Merdiu.
Kujtojmë se dy nga të plagosurit kanë shtetësi zvicerane.
Një i vrarë, tre të plagosur në Runik të Skenderajt
Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt, njofton Policia e Kosovës. Sipas njoftimit, thuhet se në lokal kanë hyrë dy persona të maskuar e të armatosur, duke shtënë në drejtim të viktimës.
Sipas Policisë rajonale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:21 të datës 10 gusht 2023, ndërsa njësitet policore dhe ekipi mjekësor, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga hetimet e para, sipas policisë, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. “Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, njofton policia e Skenderajt.
Gjitha veprimet e ndërmarra policore, sipas njoftimit, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetuesit e Sektorit Rajonal, thuhet se janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj vepre penale.























