Shtënë me armë nëpër ahengje, u konfiskohen armët
BKT
Kronika

Shtënë me armë nëpër ahengje, u konfiskohen armët

M.Shefkiu/RTKlive

Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten tre qytetarë, në tri lokacione të ndryshme, pasi kanë shtënë me armë zjarri nëpër ahengjet familjare, madje njërit prej të arrestuarve gjatë kontrollit në shtëpi i janë konfiskuar tri pistoleta dhe një kallashnikov.

“Në Fshatin Godanc i Epërm të Shtimes është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi në një aheng familjar është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar 10 gëzhoja të armës së zjarrit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar: 3 revole me gas, një armë AK-47 dhe 201 copë fishekë. Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Një rast i ngjashëm sipas policisë ka ndodhur në Prizren, ku nën dyshimin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm është arrestuar i dyshuari pasi në dasmë ka shtënë me armë zjarri.

“Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njofton policia.

Edhe në Junik është arrestuar i dyshuari për përdorim të armës në aheng familjar. “Njësiti policor nga i dyshuari ka konfiskuar armën e zjarrit  ndërsa në oborrin e shtëpisë janë gjetur tre gëzhoja. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se Ministria e Punëve të Brendshme muaj më parë ka filluar një fushatë, për ngritjen e ndërgjegjësimit kundër të shtënave festive "Festo me zemër, jo me armë". Kjo fushatë është lanusuar para ardhjes së diasporës, kur organizimet e ahengjeve familjare dhe dasmave kanë një rritje të shtuar.


MË SHUME NGA Kronika