Për sulmin ndaj gazetarëve në Prizren, arrest shtëpiak ndaj të pandehurit
BKT
Kronika

Për sulmin ndaj gazetarëve në Prizren, arrest shtëpiak ndaj të pandehurit

M.Sh/RTKlive

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji të pandehurit E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi ndaj gazetarëve në një protestë në këtë qytet. Vendimi për vazhdimin e masës së arrestit e ka marrë gjyqtarja e procedurës, Vjollca Buzhala, ndërsa të pandehurit i llogaritet koha prej ditës së arrestimit 15.08.2023.

“Gjykata me rastin e caktimit të masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri E.K., me datë 11 gusht 2023, rreth orës 14:00., në Prizren, në “Sheshin Shatërvan”, me dashje e sulmon të dëmtuarin V.K - gazetar, në atë mënyrë që i bashkohet protestës së organizuar, dhe në momentin kur i dëmtuari V.K – gazetar gjatë kryerjes së punëve të tija zyrtare merr në intervistë protestuesit, i pandehuri e shtynë gazetarin, pastaj gazetari vazhdon t’i intervistojë protestuesit e tjerë ku hasë në rezistencë të protestuesve, me të cilat veprime tek i dëmtuari shkaktojnë shqetësim”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Kurse a do të argumentohen këto fakte, thuhet se do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Nëse i pandehuri e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak, Gjykata Themelore në Prizren ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje dy (2) të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual.

“Si rezultat i kësaj, caktimi i masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin është i nevojshëm dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit, dhe për të siguruar prezencën e të pandehurit në procedurën hetimore. Nga të lartcekurat gjykata ka ardhur në konstatim se caktimi i arrestit shtëpiak në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim edhe të parandalimit të përsëritjes së veprës penale”, thuhet tutje në njoftim.

Kujtojmë se më 14 gusht 2023, Gjykata Themelore në Prizren kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit A.K., i dyshuar për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.


MË SHUME NGA Kronika