09:24 / 22.08.2023
Policia jep detaje për aksidentin në Drenas ku vdiq një pasagjere
E. Hoti / RTKlive
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin e djeshëm me fatalitet në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenasit.
Policia ka njoftuar se një veturë civile është vet-aksidentuar, teksa si pasojë e lëndimeve ka mbetur e vdekur një grua e cila ishte pasagjere.
Po ashtu, njoftohet se lëndime trupore kanë pësuar edhe drejtuesja e veturës, dhe pasagjerët tjerë një burrë dhe dy gra.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa të lënduarit tjerë janë dërguar në tretman mjekësor”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.
Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është nën hetime.























