Njësia Antidrogë sekuestron kokainë në Prizren, arrestohen dy të dyshuar
E. Hoti / RTKlive
Antidroga e Policisë së Kosovës ka sekuestruar kokainë në vlerë rreth 7000 euro në Prizren dhe dy persona janë arrestuar.
Sipas njoftimit, i dyshuari A.E., është arrestuar derisa ishte duke lëvizur me automjetin e tij në rrugën “William Voker” në Prizren.
“Gjatë kontrollit, tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar dy qese najloni të mbushura më substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë” me peshë 2.55 gr, dhe është sekuestruar automjeti pronë e tij”, njoftoi Policia.
Ndërsa, i dyshuari i dytë B.E., është arrestuar në shtëpinë e tij.
"Po ashtu, pas kontrollit në tri lokacione, tek të dyshuarit, janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si në vijim: 45)qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë” me peshë 23.04 gramë, 3 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë” me peshë 52.34 gramë, 1 qese najloni e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë” me peshe 1.76 gramë, 1 automjet “Citroën C-Elysee”, ngjyrë të bardhë, 2 telefona mobil, 1 peshore digjitale, të holla cash njëmijenjëqindedyzet (1140 ) euro, 40 franga zvicerrane,1 DVR,1 shtëpizë e kompjuterit ngjyrë e zezë", njoftoi Policia.
Gjithashtu Policia ka njoftuar se pesha e përgjithshme e substancës narkotike të dyshuar për “Kokainë” është 79.69 gramë, e që kap vlerën e tregut rreth 7000 euro.
Tutje u bë e ditur se me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor për të njëjtit, Prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.























