Gjenden mallra të kontrabanduara në tri barnatore të Prishtinës
E. Hoti / RTKlive
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur mallra të kontrabanduara, pa banderola dhe të fshehura në tri barnatore në Prishtinë.
Sipas njoftimit, aksioni është kryer sot në pesë lokacione të ndara në Prishtinë. Dogana ka gjetur më shumë se 350 lloje të ndryshme të medikameteve.
“Njësitë e Doganës së Kosovës, sot kanë ushtruar kontrolle në pesë lokacione të ndara (barnatore) në Prishtinë me qëllim të verifikimit të mallrave të mundshme të kontrabanduara. Bazuar në informatat e marra nga rrugët operative, njësit e doganës kanë koordinuar një aksion në këto pesë lokacione. Gjatë kontrollit, janë identifikuar tri lokacione ku u zbuluan mallra pa banderola, të fshehura në hapësira të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar menjëherë dhe proceset ligjore kundër personave të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kanë filluar.
Tutje në njoftim u tha se procedurat ligjore do të vijojnë për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme të kontrabandës së medikamenteve.























