Policia shtrin planin ‘Siguria në shkolla’ në rajonin e Ferizajt
M.P. / RTKlive
Plani operativ i Policisë së Kosovës, “Siguria në shkolla” ka vazhduar shtrirjen në rajonin e Ferizajt. Pesë komuna të këtij regjioni kanë qenë të përfshirë në shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe shtimit të numrit të policëve me qëllim të sigurisë së nxënësve përreth shkollave.
“Policia e rajonit, në kuadër të planit operativ ‘Siguria në shkolla’ ka shtuar prezencën e policisë në të gjitha komunat e rajonit; Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit. Veç policëve me uniformë janë angazhuar edhe policë me rroba civile në parandalim të dukurive negative në shkolla”, njofton Policia e Kosovës.
Fletëpalosjet janë shpërndarë te shoferët si kërkesë që të shtojnë kujdesin e tyre derisa drejtojnë automjetet në afërsi të shkollave.
























