Policia arreston dy të dyshuar dhe u konfiskohen dy armë
F.S / RTKlive
Policia e Kosovës ka arrestuar në Gjakovë në dy raste të ndara dy të dyshuar dhe ka konfiskuar dy armë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, policia në Gjakovë, në dy raste të ndara, kishte siguruar video incizime të cilat ishin postuar në rrjete sociale ku në posedim të të dyshuarave janë parë armë për të cilat është dyshuar se ata i posedonin në mënyrë të paautorizuar.
“Në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si rezultat i informatave të pranuara janë zhvilluar hetime dhe është arritur të identifikohen dhe arrestohen dy të dyshuar. Në njërin rast i dyshuari me inicialet A.Rr., shtetas i Republikës së Kosovës ka dorëzuar një pushkë automatike me një karikator dhe nëntë (9) copë fishekë, ndërsa në rastin tjetër i dyshuari me inicialet M.A., shtetas i Republikës së Kosovës, ka dorëzuar një pushkë automatike me një karikator dhe një (1) fishekë. Armët dhe municionin të dyshuarit i kishin në posedim të paautorizuar dhe të njëjtat janë konfiskuar”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit, personat e arrestuar janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj tyre, Policia thotë se është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.























