E goditi për vdekje dhe iku nga vendi i ngjarjes, dënohet me 3 vjet burg
M.Sh/RTKlive
Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit I.J. i akuzuar për rrezikimi të trafikut publik dhe mosdhënie e ndihmës ndaj personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik. Për këto vepra gjyqtari i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik në kohëzgjatje prej tri vjet burg.
Sipas aktakuzës, i pandehuri akuzohet se më 31 tetor 2021, rreth orës 21:54 në rrugën magjistrale Shtime – Ferizaj, duke drejtuar automjetin e tipit “BMW”, në të cilën kanë qenë edhe pasagjerët Sh.J., R.V., dhe D.A., me të arritur në fshatin Ll., nga pakujdesia shkel ligjin për trafikun publik dhe e godet tashmë të ndjerin N.M. i cili ka qenë duke trupuar rrugën nga ana e majtë dhe me të arritur në skaj të rrugës në anën e djathtë, e godet me pjesën e parë të anës së djathtë duke e rrëzuar në tokë.
“Si rezultat i së cilës fillimisht i ndjeri dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj, pastaj dërgohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa më 7 nëntor 2021 ka ndërruar jetë, - me të cilën ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjithashtu, si ngasës i automjetit I.J nuk i ofron ndihmë personit të lënduar, tani të ndjerit N.M, duke ikur nga vendi i ngjarjes.
“Duke e lëndë të ndjerin pa i ofruar ndihmë si dhe nuk ka njoftuar emergjencën – ndihma e parë dhe policinë, për pasojë personi i lënduar pas disa ditëve ka ndërruar jetë”, njofton Gjykata, sipas të cilës, i pandehuri ka kryer veprën penale mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik nga neni 374 paragrafi 3 të KPRK-së.
Të pandehurit I.J., me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.























