Ngritet aktakuzë për serbin e dyshuar për dhunim të të miturës gjatë luftës
BKT
Kronika

Ngritet aktakuzë për serbin e dyshuar për dhunim të të miturës gjatë luftës

M.P / RTKlive

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të dyshuarin serb për dhunim seksual gjatë kohës së luftës në Kosovë, të pandehurin M.J.

Rasti ka ndodhur në Ferizaj, teksa viktima është dhunuar në moshë të mitur.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri me iniciale M.J. si pjesëtar i forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat  ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Ferizajt, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, në bashkëkryerje me persona të tjerë, deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar, e cila në kohën e dhunimit ishte e mitur”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Prokuroria  Speciale i ka propozuar Gjykatës kompetente që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për ta gjetur të pandehurin.

“Me këto veprime i pandehuri M.J. ka kryer vepër penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë ( i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton prokuroria.


MË SHUME NGA Kronika