Arrestohen pesë të dyshuar për kontrabandim me migrantë
BKT
Kronika

Arrestohen pesë të dyshuar për kontrabandim me migrantë

E. H. /RTKlive

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka  bërë të ditur se të mërkurën janë arrestuar pesë persona, të cilët dyshohen se në mënyrë të organizuar si grup kriminal kanë kryer vepra penale si: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Kontrabandimi me migrantë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës-Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarisë kriminale të disa personave të dyshuar në kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në njoftimin e përbashkët nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës njoftohet se, operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës Jugore, i cili ka përfshirë pesë lokacione të ndryshme.

“Gjatë realizimit të operacionit policor janë arrestuar të dyshuarit me iniciale si në vijim:K. K.  viti i lindjes 1965 m/kosovar, G. T.   viti i lindjes 1969   m/shqiptar/Shqipëri, E. A.  viti i lindjes 1970  m/kosovar, H. H.  viti i lindjes 1978  m/kosovar, E. R.  viti i lindjes 1992 m/kosovar”, thuhet në njoftim

Gjatë kontrollit të kryer, Policia thotë se janë gjetur pajisje për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit për në shtete të ndryshme të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave materiale, që përfshijnë pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë, vetura, telefona e para.

“Gjatë kontrollit të kryer në prona/shtëpi banimi, janë gjetur pajisje për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit për në shtete të ndryshme të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: 21 pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane, pesë leje qëndrimi, letërnjoftime dhe patentë shoferë të shteteve të ndryshme, pajisje dhe materiale te ndryshme elektronike që dyshohen për prodhimin e dokumenteve, katër telefona mobilë, 1860 euro, 48700 lekë,  10 funta, 395 lira turke, një veturë me targa të Kosovës, një veturë me targa të Shqipërisë”, është thënë në njoftim.

Turje thuhet në njoftim se me vendim të Prokurorit të Shtetit, pesë të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe për të njëjtit është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

 


MË SHUME NGA Kronika