41 aktakuza të ngritura gjatë 24 orëve
V.TH. / RTKlive
Prokurori i Shtetit njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 41 aktakuza kundër 45 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar 19 persona dhe janë paraqitur tetë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ngritur 17 aktakuza kundër 18 personave për vepra të ndryshme penale, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur tetë aktakuza kundër nëntë personave, e Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur tri aktakuza kundër tre personave, kurse Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me urdhër të prokurorit ka ngritur katër aktakuza kundër pesë personave.
Ndërsa Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar katër persona të dyshuar, ka parashtruar tri kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër gjashtë personave, si dhe, ka ngritur nëntë aktakuza kundër dhjetë personave, për vepra të ndryshme penale.























