08:52 / 31.10.2023
Tentoi t’i korruptonte policët, arrestohet serbi në Jarinjë
E. Hoti / RTKlive
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një shtetas të Serbisë në piken kufitare në Jarinjë nën dyshimin për dhënie ryshfeti.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka ofruar ryshfet për të kaluar kufirin, përkundër që rimorkio e kamionit ishte me librezë të skaduar qarkullimi.
Rasti është iniciuar si “dhënie e ryshfetit”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë pasi që, i njëjti gjatë kontrollimit të dokumenteve, i ka ofruar zyrtarit policor një shume parash në këmbim që të lejohet ta kalojë kufirin përkundër që rimorkios së kamionit i kishte skaduar libreza e qarkullimit”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.























