Kamioni godet për vdekje biçiklistin në magjistralen Podujevë- Prishtinë
E. Hoti / RTKlive
Një person ka vdekur sot, pas një aksidenti trafiku që ka ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë- Podujevë.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo tha se në aksident janë përfshirë një biçiklist dhe një kamion.
Ahmeti bëri të ditur se vdekjen e biçiklistit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një biçiklist dhe një automjet në lëvizje (kamion).Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar biçiklisti, i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka njoftuar se aktualisht policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësi i automjetit është shoqëruar në stacion policor.























