Aktakuzë ndaj 7 personave për kultivim e shitje të 100 kg narkotikë
E. Hoti / RTKlive
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave të pandehur G.J., E.M., Z.M., E.J., F.D., A.J. dhe G.Z., për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori i shtetit, të pandehurit G.J., E.M., Z.M., E.J., dhe A.J, nga fundit i muajit maj të vitit 2022 e deri më 29 shtator 2022, duke vepruar si anëtarë të grupit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, kultivojnë rreth 100 kilogramë narkotikë të llojit marihuanë të gatshme për shitje.
Sipas njoftimit të Prokurorisë edhe 177 bimë tjera me gjatësi 3.5 meta janë shkatërruar me urdhër të prokurorit të shtetit nga njësitet relevante policore.
I pandehuri, G.J., akuzohet se me datë 28 shtator 2022, me qëllim të shitjes ka poseduar rreth gjysmë kilogrami kokainë, të ndara në katër qese.
Kurse, i pandehuri, Z.M., akuzohet se në kohë të vazhdueshme ka shitur dhe shpërndarë narkotikë të llojit marihuanë.
Të pandehurit F.D dhe G.Z, akuzohen për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprave të lartcekura.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë.























