Shpërthimi në Prizren, një person arrestohet
Myrvete Axhami/RTK-Prizren
(E përditësuar 12:20) Bie ne pranga njëri nga tre të dyshuarit që hodhi mjetin shpërthyes mëngjesin e sotëm në tregun e Prizrenit. Prokuroria Themelore në Prizren njofton për shpërthimin në Tregun e Kafshëve në Prizren, ku dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar nê QKUK në Prishtinë, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se sot rreth orës 04:50 të mëngjesit ka ndodhur një shpërthim në Tregun e Kafshëve në Prizren. Nga ky shpërthim dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar nê QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë persona tjerë janë liruar në shtëpi pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e kësaj Prokurorie.
Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë relevante policore për të hetuar rastin.
“Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar nê QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre”, thuhet në këtë njoftim.
5 të lënduar në QKUK
Mjeku Avdush Bajgora, ka konfirmuar se në Qendrën Emergjente janë 5 pacientë të ardhur nga Spitali Rajonal i Prizrenit, si rezultat i lëndimit me një mjet plasës.
“2 pacientë kanë qenë lëndimet në qafë dhe në ekstremitete të sipërm dhe të poshtëm. Të dy pacientë kanë qenë lëndime në kraharor dhe një pacient në ekstremitete. Sa i përket lëndimeve, mundë të them se lëndimet janë të natyrës së lehtë dhe njëri nga pacientët i është dashur t'i vendoset dreni torakal. Janë kryer të gjitha analizat dhe ekzaminimet biokimike, rengologjike dhe sipas të gjitha gjasave nga këta pacient njëri do të hospitalizohet, ndërsa të tjetër pas mbarimit të ekzaminimeve shtesë do të lirohen në shtëpi", ka thënë Bajgora.
Shkon në 10 numri i të lënduarve në pazarin e Prizrenit
(E përditësuar 10:55) Shkon në 10 numri i personave të lënduar nga mjeti shpërthyes në tregun e Prizrenit. 5 prej të lënduarve nisen për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, pasi disa nga ta kanë pjesë të mjetit shpërthyes në trup.
Kështu ka deklaruar shefi i emergjencës në Prizren, doktor Hekuran Veçgishi.
Nëntë të lënduar nga shpërthimi i granatës në tregun e kafshëve në Prizren
Një granatë dore është hedhur pak çaste më parë në tregun e kafshëve në Prizren. Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit.
Ai tha se për shkak të një mosmarrëveshje në mes dy palëve ka ardhur deri të hedhja e një bombe, ku për pasojë 9 persona janë lënduar. Sipas tij, policia është duke u marrë me rastin.
“Pak para orës 5 të mëngjesit Policia është njoftuar për një fjalosje në mes të dy palëve, ku njëri nga ata ka hedhur një bombë në tregun e kafshëve në Prizren”, tha ai.
Në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë.
Të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.























